Si të mbash buxhetin e familjes pa tabela
Përditësuar: 8 tetor 2026
Shumica e njerëzve nuk kanë nevojë për tabela të ndërlikuara. Mjafton të dinë tri gjëra: sa vjen, sa shkon me siguri, dhe sa mbetet për pjesën tjetër të muajit.
1. Fillo nga ajo që vjen
Rroga, pensioni, paratë nga jashtë. Shëno shumën dhe ditën kur vijnë. Ky është kufiri i muajit.
2. Hiq faturat që vijnë me siguri
Qiraja ose kësti i kredisë, dritat, uji, interneti, telefoni. Edhe kur shuma ndryshon pak, e di afërsisht sa është. Hiqi që në fillim të muajit, si të ishin paguar tashmë.
3. Mos harro ato që vijnë një herë në vit
Sigurimi i makinës, kolaudimi, taksa vjetore, taksa e pronës. Janë ato që prishin muajin kur vijnë. Ndaji në muaj: nëse bashkë kushtojnë 24.000 lekë në vit, lër mënjanë 2.000 lekë çdo muaj.
4. Shëno shpenzimet e përditshme
Ushqimet, kafeja, karburanti, transporti. Nuk ka nevojë të jesh perfekt: edhe nëse shënon shumicën, në fund të muajit e sheh qartë ku shkuan paratë.
5. Kujdes me keshin
Kur tërheq para nga ATM-ja, ato ende nuk janë shpenzuar: kanë kaluar nga banka në portofol. Shpenzim bëhen kur i harxhon. Në fund të muajit, numëro sa kesh të ka mbetur: diferenca është ajo që shpenzove pa e shënuar.
6. Shiko muajin, jo ditën
Një ditë e shtrenjtë nuk do të thotë asgjë. Rëndësi ka nëse në fund të muajit të mbeten para, dhe nëse kjo shifër rritet nga muaji në muaj.